< Psalmet 81 >

1 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit. 2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën. 3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë. 4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit. 5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja; 6 “O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën. 7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela) 8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje! 9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj. 10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush. 11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur. 12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre. 13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia! 14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij. 15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë. 16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi”.

< Psalmet 81 >