< Psalmet 52 >

1 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme. 2 Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh. 3 Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela) 4 Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare. 5 Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela) 6 Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë: 7 “Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij”. 8 Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë. 9 Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.

< Psalmet 52 >