< Psalmet 33 >

1 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë. 2 Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela. 3 Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni. 4 Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi. 5 Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit. 6 Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij. 7 Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare. 8 Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës. 9 Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq. 10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve. 11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez. 12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij. 13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve. 14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës. 15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre. 16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe. 17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku. 18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij, 19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie. 20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë. 21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë. 22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

< Psalmet 33 >