< Psalmet 135 >

1 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit, 2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë. 3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur. 4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë. 5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë. 6 Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat. 7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij. 8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve, 9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij. 10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm: 11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit. 12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij. 13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi. 14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij. 15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut; 16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, 17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre. 18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata. 19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin. 20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin. 21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

< Psalmet 135 >