< Psalmet 116 >

1 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia. 2 Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime. 3 Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund. (Sheol h7585) 4 Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: “O Zot, të lutem, më shpëto”. 5 Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm. 6 Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi. 7 Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira. 8 Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi. 9 Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve. 10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar, 11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: “Çdo njeri është gënjeshtar”. 12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë? 13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit. 14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij. 15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij. 16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia. 17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit. 18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij, 19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

< Psalmet 116 >