< Fjalët e urta 5 >

1 Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim, 2 me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë. 3 Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji; 4 por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa. 5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol. (Sheol h7585) 6 Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton. 7 Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime. 8 Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj, 9 për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë. 10 Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji, 11 dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar, 12 dhe të thuash: “Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime? 13 Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin. 14 U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit”. 15 Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd. 16 A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë? 17 Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty. 18 Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate. 19 Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të. 20 Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje? 21 Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij. 22 I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij. 23 Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

< Fjalët e urta 5 >