< Marku 4 >

1 Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit. 2 Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij: 3 “Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë. 4 Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën. 5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s’kishte një tokë të thellë. 6 Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha. 7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt. 8 Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind”. 9 Pastaj ai u tha atyre: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”. 10 Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. 11 Dhe ai u tha atyre: “Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, 12 që: “Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen””. 13 Pastaj u tha atyre: “Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t’i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera? 14 Mbjellësi mbjell fjalën. 15 Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre. 16 Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; 17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë. 18 Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën, 19 por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme. (aiōn g165) 20 Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind”. 21 Pastaj u tha atyre: “A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen? 22 Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë. 23 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” 24 Dhe u tha atyre: “Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t’iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t’iu jepet edhe më. 25 Sepse atij që ka, do t’i jepet, por atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka. 26 Tha akoma: “Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe. 27 Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si. 28 Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra. 29 Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes. 30 Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim? 31 Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe; 32 por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj”. 33 Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë. 34 Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë. 35 Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë! 36 Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla. 37 Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej. 38 Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?”. 39 Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: “Pusho dhe fashitu!”. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe. 40 Atëherë u tha atyre: “Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?”. 41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?”.

< Marku 4 >