< Luka 15 >

1 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar. 2 Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta”. 3 Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë: 4 “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë? 5 Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz; 6 dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur. 7 Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen. 8 Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: “Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur”. 10 Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet”. 11 Tha akoma: “Një njeri kishte dy bij. 12 Më i riu i tyre i tha babait: “Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon”. Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë. 13 Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur. 14 Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall. 15 Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat. 16 Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Atëherë erdhi në vete dhe tha: “Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria! 18 Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; 19 nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu”. 20 U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. 21 Dhe i biri i tha: “O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: “Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. 23 Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, 24 sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri”. Dhe filluan të bënin një festë të madhe. 25 Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. 26 Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo. 27 Dhe ai i tha: “U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë”. 28 Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte. 29 Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: “Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. 30 Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur”. 31 Atëherë i ati i tha: “O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja. 32 Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri””.

< Luka 15 >