< Luka 13 >

1 Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata Galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre. 2 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “A mendoni ju se ata Galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë Galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra? 3 Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë. 4 Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit? 5 Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë”. 6 Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?”. 8 Por ai u përgjigj dhe tha: “Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t’i hedh pleh 9 dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh””. Shërimi i një gruaje të paralizuar 10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot. 12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: “O grua, ti je e liruar nga lëngata jote”. 13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë. 14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: “Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë”. 15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: “Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë? 16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?”. 17 Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer. 18 Atëherë ai tha: “Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj? 19 I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj”. 20 Pastaj tha përsëri: “Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? 21 Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë”. 22 Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit. 23 Dhe një njeri e pyeti: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?”. Ai u tha atyre: 24 “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden. 25 Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: “Zot, Zot, na e hap”. Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: “Nuk e di nga vini”. 26 Atëherë do të filloni të thoni: “Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona”. 27 Por ai do thotë: “Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi”. 28 Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta. 29 Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë. 30 Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit”. 31 Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: “Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë”. 32 Dhe ai u përgjigj atyre: “Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime”. 33 Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit. 34 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët! 35 Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më deri sa të vijë koha të thoni: “Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit””.

< Luka 13 >