< Gjoni 1 >

1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. 2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. 3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë. 4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve. 5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi. 6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon. 7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij; 8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën. 9 Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. 10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. 11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, 12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, 13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia. 14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. 15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: “Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje””. 16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. 17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. 18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur. 19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?”. 20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: “Unë nuk jam Krishti”. 21 Atëherë ata e pyetën: “Kush je, pra? A je Elia?”. Ai tha: “Nuk jam!”. “Je ti profeti?”. Dhe ai përgjigjej: “Jo!”. 22 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti, që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?”. 23 Ai u përgjigj: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia”. 24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë; 25 ata e pyetën dhe i thanë: “Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?”. 26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: “Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni. 27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhësen e sandaleve”. 28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte. 29 Të nesërmen, Gjoni e pa Jezusin që po vinte drejt tij dhe tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës! 30 Ky është ai për të cilin unë thashë: “Mbas meje vjen një burrë që më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje!”. 31 Unë nuk e njihja, prandaj erdha të pagëzoj me ujë, që ky t’i zbulohet Izraelit”. 32 Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: “E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të. 33 Unë nuk e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë, më tha: “Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë”. 34 Dhe unë pashë e dëshmova se ai është Biri i Perëndisë”. 35 Të nesërmen Gjoni rrinte përsëri atje me dy nga dishepujt e vet. 36 Dhe, duke i ngulur sytë mbi Jezusin që po kalonte, tha: “Ja Qengji i Perëndisë!”. 37 Dhe të dy dishepujt dëgjuan atë duke folur, dhe e ndoqën Jezusin. 38 Por Jezusi u kthye dhe, kur pa se po e ndiqnin, u tha atyre: “Ç’kërkoni?”. Ata i thanë: “Rabbi (që e përkthyer do të thotë “mësues”), ku banon?”. 39 Ai iu përgjigj atyre: “Ejani e shikoni”. Ata shkuan dhe e panë ku banonte ai, dhe ndenjën atë ditë bashkë me të. Ishte rreth orës dhjetë. 40 Andrea, vëllai i Simon Pjetrit, ishte një nga ata të dy që e kishin dëgjuar këtë nga Gjoni dhe kishin ndjekur Jezusin. 41 Ky gjeti më të parin vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesian që përkthyer do të thotë: “Krishti””; 42 dhe e çoi te Jezusi. Atëherë Jezusi e shikoi dhe tha: “Ti je Simoni, bir i Jonas. Ti do të quhesh Kefa, që do të thotë: “gur””. 43 Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: “Ndiqmë!”. 44 Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit. 45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!”. 46 Dhe Natanaeli i tha: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?”. Filipi i tha: “Eja e shih!”. 47 Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim”. 48 Natanaeli i tha: “Nga më njeh?”. Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi”. 49 Natanaeli duke iu përgjigjur tha: “Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!”. 50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!”. 51 Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut”.

< Gjoni 1 >