< Gjoni 21 >

1 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë: 2 Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë. 3 Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj”. Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty”. Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë. 4 Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi. 5 Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?”. Ata iu përgjigjën: “Jo!”. 6 Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni”. E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve. 7 Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti”. Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det. 8 Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq. 9 Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë. 10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!”. 11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. 12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes”. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?”, duke ditur se ishte Zoti. 13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun. 14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri. 15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?”. Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”. Jezusi i tha: “Kulloti qengjat e mi!”. 16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?”. Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua”. Jezusi i tha: “Ki kujdes për delet e mia”. 17 E pyeti për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?”. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?”, dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua”. Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia. 18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje”. 19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë”. 20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: “Zot, kush është ai që po të tradhton?”. 21 Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?”. 22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!”. 23 Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: “Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?”. 24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. 25 Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.

< Gjoni 21 >