< Jobi 39 >

1 A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave? 2 A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin? 3 Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. 4 Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre. 5 Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër, 6 të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë? 7 Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie. 8 Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër. 9 Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd? 10 A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje? 11 A do t’i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t’ia lësh atij punën tënde? 12 A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë? 13 Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut. 14 Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur. 15 duke harruar që një këmbë mund t’i shtypë ose një kafshë e fushave mund t’i shkelë. 16 I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë, 17 sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi. 18 Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij. 19 A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten? 20 A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr. 21 Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë. 22 Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës. 23 Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta. 24 Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria. 25 Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: “Aha”!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës. 26 Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut? 27 Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta? 28 Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta. 29 Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg. 30 Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo”.

< Jobi 39 >