< Eksodi 6 >

1 Zoti i tha Moisiut: “Tani ke për të parë çfarë kam për t’i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t’i lërë të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t’i dëbojë nga vendi i tij”. 2 Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe i tha: “Unë jam Zoti, 3 dhe i jam shfaqur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, si Perëndi i plotfuqishëm; por ata nuk më kishin njohur kurrë me emrin tim, Zot. 4 Kam caktuar gjithashtu besëlidhjen time me ta, duke u premtuar se do t’u jap vendin e Kanaanit, vendin ku qëndruan si të huaj. 5 Dëgjova edhe kujën e bijve të Izraelit që Egjiptasit i mbajnë në skllavëri dhe m’u kujtua besëlidhja ime. 6 Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: “Unë jam Zoti; do t’ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar Egjiptasit, do t’ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t’ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha. 7 Do t’ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët e rënda të imponuara nga Egjiptasit. 8 Dhe do t’ju bëj të hyni në vendin, që u betova t’i jap Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; dhe do t’jua jap atë në trashëgimi. Unë jam Zoti””. 9 Kështu u foli Moisiu bijve të Izraelit; por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërise së rëndë. 10 Zoti i foli edhe më Moisiut, duke i thënë: 11 “Shko, foli Faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij”. 12 Por Moisiu foli përpara Zotit dhe i tha: “Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet Faraoni të më dëgjojë mua, që jam i parrethprerë në buzë?”. 13 Por Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit dhe i urdhëroi të shkonin te bijtë e Izraelit dhe te Faraoni mbret i Egjiptit, me qëllim që t’i nxirrnin bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit. 14 Këta janë kryetarët e familjeve të tyre. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit qenë: Hanoku dhe Pallu, Hetsroni dhe Karmi. Këto qenë familjet e Rubenit. 15 Bijtë e Simeonit qenë: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Tsohari dhe Sauli, bir i Kananeases. Këto qenë familjet e Simeonit. 16 Këta janë emrat e bijve të Levit, sipas brezave të tyre: Gershomi, Kehathi dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. 17 Bijtë e Gershomit qenë: Libni dhe Shimej, bashkë me familjet e tyre. 18 Bijtë e Kehathit qenë: Amrami, Jitshari, Hebroni dhe Ucieli. Kehathi jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet. 19 Bijtë e Merarit qenë: Mahli dhe Mushi. Këto qenë edhe familjet e Levitëve sipas brezave të tyre. 20 Amrami mori për grua Jokebedën, motrën e atit të tij; dhe ajo i lindi Aaronin dhe Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. 21 Bijtë e Itsharit qenë: Koreu, Nefegu dhe Zikri. 22 Bijtë e Ucielit qenë: Mishaeli, Eltsafani dhe Sitri. 23 Aaroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit dhe motër e Nahashonit; dhe ajo i lindi Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin. 24 Bijtë e Koreut qenë: Asiri, Elkanahu dhe Abiasafi. Këto qenë familjet e Koreut. 25 Eleazari, bir i Aaronit, mori për grua një nga bijat e Putielit; dhe ajo i lindi Fineasin. Këta qenë të parët e etërve të Levitëve në familjet e tyre. 26 Dhe këta janë vet Aaroni dhe Moisiu, të cilëve Zoti u tha: “Nxirrini bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit, sipas rendit të tyre”. 27 Këta janë ata që i folën Faraonit mbretit të Egjiptit për të nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjipti; ata janë vetë Moisiu dhe Aaroni. 28 Por erdhi dita kur Zoti i foli Moisiut në vendin e Egjiptit, 29 kur Zoti iu drejtua Moisiut dhe i tha: “Unë jam Zoti! Thuaji Faraonit, mbretit të Egjiptit, tërë ato që po të them”. 30 Atëherë Moisiu u përgjigj kështu para Zotit: “Ja, unë jam i parrethprerë në buzë; prandaj si mund të më dëgjojë Faraoni?”.

< Eksodi 6 >