< Ligji i Përtërirë 32 >

1 “Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime. 2 Mësimi im do të zbresë si shiu, fjala ime do të pikojë si vesa, si shiu i imët mbi barin e njomë dhe si një rrebesh mbi drurët e vegjël, 3 sepse unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë! 4 Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Éshtë një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë. 5 Por ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrëmbër dhe i degjeneruar. 6 Kështu doni ta shpërbleni Zotin, o popull i pamend dhe i marrë? A nuk është ai ati yt që të ka blerë? A nuk është ai që të ka bërë dhe të ka vendosur? 7 Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë. 8 Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit. 9 Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij. 10 Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij. 11 Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj, 12 Zoti e drejtoi vetë, dhe asnjë perëndi e huaj nuk ishte me të. 13 Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit, 14 ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit. 15 Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij. 16 Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme. 17 U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën. 18 Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar. 19 Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij, 20 dhe tha: “Unë do t’u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri. 21 Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t’i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s’është në vete. 22 Sepse një zjarr është ndezur gjatë zemërimit tim dhe ka për të djegur pjesët më të thella të Sheolit; do të gllabërojë tokën dhe prodhimet e saj dhe do t’u vërë zjarrin themeleve të maleve. (Sheol h7585) 23 Unë do të mblesh mbi ta mjerime, do t’i mbaroj shigjetat e mia kundër tyre. 24 Ata do të veniten nga uria, do të përpihen nga një vapë djegëse dhe nga një murtajë e tmerrshme; do të dërgoj kundër tyre dhëmbët e kafshëve të egra, me helmin e gjarpërinjve që hiqen zvarrë nëpër pluhur. 25 Nga jashtë shpata do t’i privojë nga fëmijët, nga brenda terrori, duke shkaktuar njëkohësisht vdekjen e të riut dhe të virgjëreshës, të foshnjës së gjirit dhe të plakut të thinjur. 26 Unë kam thënë: “Do t’i fshij një herë e mirë, do të zhduk kujtimin e tyre në mes të njerëzve”, 27 por i trembem provokimit të armikut, sepse kundërshtarët e tyre, duke interpretuar keq situatën, mund të thonë: “Triumfoi dora jonë dhe jo Zoti i cili ka bërë tërë këto gjëra!”. 28 Sepse janë një komb që ka humbur gjykimin dhe nuk ka në ta asnjë zgjuarësi. 29 Po të ishin të urtë do ta kuptonin këtë, do të merrnin parasysh fundin që i pret. 30 Si do të mundte një person i vetëm të ndiqte një mijë e dyqind veta dhe, dy persona të bënin të iknin dhjetë mijë veta, po të mos i kishte shitur Shkëmbi dhe po të mos i kishte dorëzuar Zoti tek armiku? 31 Sepse shkëmbi i tyre nuk është si Shkëmbi ynë; vetë armiqtë tanë janë gjykatësit e tyre; 32 por hardhia e tyre vjen nga hardhia e Sodomës dhe nga fushat e Gomorës; rrushi i tyre është i helmatisur dhe vilet e rrushit të tyre janë të hidhura; 33 vera e tyre është një helm gjarpërinjsh, një helm mizor gjarpërinjsh helmonjës. 34 E tërë kjo a nuk është ruajtur vallë pranë meje, e vulosur në thesaret e mia? 35 Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi; do të vijë koha dhe do t’u merren këmbët! Sepse dita e gjëmës së tyre është e afërt, dhe gjërat e përgatitura për ta shpejtohen të vijnë. 36 Po, Zoti do të gjykojë popullin e tij, por do t’i vijë keq për shërbëtorët e tij kur të shohë që fuqia e tyre është zhdukur dhe që nuk mbetet më asnjeri, as skllav as i lirë. 37 Atëherë ai do të thotë: “Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi në të cilin gjenin strehë, 38 që hanin yndyrën e flijimeve të tyre dhe pinin verën e libacioneve të tyre? Le të ngrihen për t’i ndihmuar dhe për të qenë strehimi juaj!”. 39 Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje. Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj, dhe nuk ka njeri që mund të të lirojë nga dora ime. 40 Po, unë ngre dorën time në drejtim të qiellit dhe them: Unë jetoj për gjithnjë, 41 kur të mpreh shpatën time dhe dora ime të përgatitet të gjykojë, do të hakmerrem me armiqtë e mi dhe do të shpërblej ata që më urrejnë. 42 Do t’i deh me gjak shigjetat e mia dhe shpata ime do të gëlltisë mishin, bashkë me gjakun e të vrarëve dhe të robërve, të krerëve flokëgjatë të armikut. 43 Gëzohuni, o kombe, bashkë me popullin e tij, sepse Zoti merr hak për gjakun e shërbëtorëve të tij, merr hak kundër kundërshtarëve të tij, por do të ketë mëshirë për tokën dhe për popullin e tij”. 44 Kështu Moisiu erdhi bashkë me Jozueun, birin e Nunit, dhe shqiptoi tërë fjalët e këtij kantiku në veshët e popullit. 45 Kur Moisiu mbaroi së shqiptuari tërë këto fjalë para tërë Izraelit, 46 u tha atyre: “Merrini me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji. 47 Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj; dhe me këtë fjalë do të zgjasni ditët tuaja në vendin ku po hyni për ta pushtuar, duke kapërcyer Jordanin”. 48 Po atë ditë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë: 49 “Ngjitu mbi malin e Abarimëve, mbi malin e Nebos, që ndodhet në vendin e Moabit, në bregun e kundërt të Jerikos, dhe vështro vendin e Kanaanit, që unë ju jap bijve të Izraelit. 50 Ti ke për të vdekur në malin mbi të cilin po ngjitesh dhe do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu si Aaroni, vëllai yt, ka vdekur mbi malin e Horit dhe u bashkua me popullin e tij, 51 sepse u treguat të pabesë me mua në mes të bijve të Izraelit, në ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Tsinit, dhe sepse nuk më shenjtëruat në mes të bijve të Izraelit. 52 Ti do ta shikosh vendin para teje, por atje, në vendin që unë ju jap bijve të Izraelit, ti nuk ke për të hyrë”.

< Ligji i Përtërirë 32 >