< Veprat e Apostujve 8 >

1 Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve. 2 Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të. 3 Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg. 4 Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën. 5 Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin. 6 Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte. 7 Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin. 8 Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh. 9 Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. 10 Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: “Ky është fuqia e madhe e Perëndisë”. 11 Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari. 12 Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan. 13 Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur. 14 Por kur apostujt dëgjuan në Jeruzalem se Samaria kishte pranuar fjalën e Perëndisë, i dërguan atyre Pjetrin dhe Gjonin. 15 Kur këta arritën, u lutën për ta, që të merrnin Frymën e Shenjtë, 16 sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjë prej tyre, por ata vetëm ishin pagëzuar në emër të Zotit Jezus. 17 Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Frymën e Shenjtë. 18 Dhe Simoni, kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepej Fryma e Shenjtë, u ofroi atyre para, 19 duke thënë: “Ma jepni edhe mua këtë pushtet, që ai të cilit do t’i vë duart, të marrë Frymën e Shenjtë”. 20 Por Pjetri i tha: “Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë. 21 Ti nuk ke as pjesë as short në këtë gjë, sepse zemra jote nuk është e drejtë përpara Perëndisë. 22 Pendohu, pra, për këtë ligësi që ke dhe lutju Perëndisë që, po të jetë e mundur, të të falet mendimi i zemrës sate. 23 Sepse unë të shoh se je në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë”. 24 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga ato që thatë”. 25 Ata, pra, pasi dhanë dëshmi dhe predikuan fjalën e Zotit, u kthyen në Jeruzalem, mbasi ungjillzuan shumë fshatra të Samaritanëve. 26 Dhe një engjëll i Zotit i foli Filipit, duke i thënë: “Çohu dhe shko drejt jugut, në rrugën që nga Jeruzalemi zbret në Gaza; ajo është e shkretë”. 27 Ai u ngrit dhe u nis; dhe ja, një njeri Etiopas, eunuk, një zyrtar i lartë i Kandaces, mbretëreshës së Etiopisë, përgjegjës i të gjitha thesareve të saj, i cili kishte ardhur në Jeruzalem për të adhuruar. 28 Tani ai po kthehej dhe, i ulur në karrocën e vet, lexonte profetin Isaia. 29 Dhe Fryma i tha Filipit: “Afrohu dhe arrije atë karrocë!”. 30 Filipi iu turr afër dhe, duke dëgjuar se po lexonte profetin Isaia, i tha: “A e kupton atë që lexon?”. 31 Ai tha: “E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë?”. Pastaj iu lut Filipit të hipë dhe të ulet pranë tij. 32 Por pjesa e Shkrimit që ai po lexonte ishte kjo: “Atë e çuan si delja në thertore; dhe ashtu si qengji është memec përpara qethtarit, kështu ai nuk e hapi gojën e vet. 33 Në përuljen e tij iu mohua çfarëdolloj drejtësie; po kush do të mund ta përshkruajë brezin e tij? Sepse jeta e tij u hoq nga toka”. 34 Dhe eunuku iu kthye Filipit dhe tha: “Të lutem, për kë e thotë profeti këtë? Për veten e vet apo për ndonjë tjetër?”. 35 Atëherë e mori fjalën Filipi dhe, duke filluar nga ky Shkrim, i shpalli Jezusin. 36 Dhe, ndërsa po vazhdonin rrugën, arritën në një vend me ujë. Dhe eunuku tha: “Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?”. 37 Dhe Filipi tha: “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh”. Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë”. 38 Urdhëroi atëherë të ndalet karroca, dhe të dy, Filipi dhe eunuku, zbritën në ujë dhe ai e pagëzoi. 39 Kur dolën nga uji, Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më; por e vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim. 40 Por Filipi u gjet në Azot; dhe, duke vazhduar, ungjillëzoi të gjitha qytetet, derisa arriti në Cezare.

< Veprat e Apostujve 8 >