< Veprat e Apostujve 23 >

1 Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: “Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë”. 2 Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë. 3 Atëherë Pali i tha: “Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin”. 4 Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: “E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?”. 5 Pali u përgjigj: “Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: “Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd””. 6 Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem”. 7 Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça; 8 sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën. 9 Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: “Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë”. 10 Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë. 11 Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë”. 12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin. 13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet. 14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin. 15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t’jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim”. 16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit. 17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: “Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t’i thënë”. 18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: “Pali, i burgosuri, më thirri dhe m’u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë”. 19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: “Çfarë ke për të më thënë?”. 20 Ai tha: “Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij. 21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t’ua lejosh atyre”. 22 Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra. 23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare”. 24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks. 25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje: 26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet. 27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak. 28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre. 29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin. 30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!”. 31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë. 32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë. 33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin. 34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç’krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia, 35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu”. Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.

< Veprat e Apostujve 23 >