< 3 Gjonit 1 >

1 Plaku, Gajit shumë të dashur, të cilin unë e dua në të vërtetë. 2 Shumë i dashur, unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dhe të gëzosh shëndet të mirë, ashtu si ka mbarësi shpirti yt. 3 Sepse u gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën. 4 Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën. 5 Shumë i dashur, ti vepron me besnikëri në të gjitha ato që bën për vëllezërit dhe të huajt. 6 Ata dëshmuan për dashurinë tënde përpara kishës; dhe ti të bësh mirë të gujdesësh për udhëtimin e tyre në mënyrë të denjë për Perëndinë, 7 sepse ata dolën për emrin e tij, pa marrë asgjë nga johebrenjtë. 8 Ne e kemi për detyrë, pra, t’i presim këta njerëz, që të jemi bashkëpunëtorë në çështjen e së vërtetës. 9 I shkrova kishës, por Diotrefi, që do të jetë i pari ndër ta, nuk na pret. 10 Prandaj, po të vij, do t’i kujtoj atij veprat që bën, duke folur fjalë të liga kundër nesh; dhe duke mos u mjaftuar me këto, ai vetë nuk i pret vëllezërit dhe i ndalon ata që duan t’i presin e i përjashton nga kisha. 11 Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën të mirën është nga Perëndia, por ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë. 12 Për Demetrin të gjithë dëshmojnë, madje edhe vetë e vërteta; edhe ne dëshmojmë për të, dhe ti e di se dëshmia jonë është e vërtetë. 13 Kisha shumë për të të shkruar, por nuk dua të të shkruaj me bojë e penë; 14 por shpresoj të të shoh së shpejti dhe do të flasim gojarisht. Paqja me ty. Të përshëndesin miqtë. Përshëndeti miqtë një për një.

< 3 Gjonit 1 >