< Zakaria 4 >

1 Pastaj engjëlli që fliste me mua u kthye dhe më zgjoi ashtu si zgjojnë dikë nga gjumi. 2 Dhe më pyeti: “Çfarë po shikon?”. U përgjigja: “Ja, po shikoj një shandan krejt prej ari dhe që ka në majë një enë, mbi të cilën janë shtatë llampa me shtatë tuba për shtatë llampat që janë në majë. 3 Afër tyre janë dy ullinj, një në të djathtën e enës dhe tjetri në të majtën e saj”. 4 Kështu nisa t’i them engjëllit që fliste me mua: “Imzot, ç’kuptim kanë këto gjëra?”. 5 Engjëlli që fliste me mua u përgjigj dhe më tha: “Nuk e kupton se ç’duan të thonë këto gjëra?”. Unë i thashë: “Jo, imzot”. 6 Atëherë ai, duke u përgjigjur, më tha: “Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time”, thotë Zoti i ushtrive. 7 “Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: “Mëshirë, mëshirë për të!””. 8 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë: 9 “Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju. 10 Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun”. 11 Unë u përgjigja dhe i thashë: “Këta dy ullinj në të djathtën dhe në të majtën e shandanit çfarë janë?”. 12 Për herë të dytë nisa t’i them: “Çfarë janë këto dy degë ulliri që janë përbri dy prurësve prej ari nga rrjedh vaji i praruar?”. 13 Ai m’u përgjigj dhe tha: “Nuk e kupton çfarë janë këto?”. Unë u përgjigja: “Jo, imzot”. 14 Atëherë ai më tha: “Këta janë dy të vajosurit që rrijnë afër Zotit të gjithë dheut”.

< Zakaria 4 >