Psalmet 95

1 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë. 2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë. 3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë. 4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve. 5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar. 6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë. 7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij, 8 “mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë, 9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia. 10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: “Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia. 11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time”.