< Psalmet 9 >

1 Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua. 2 Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti. 3 Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje. 4 Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë. 5 Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë. 6 Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi. 7 Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar. 8 Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi. 9 Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice. 10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë. 11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij. 12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve. 13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë, 14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd. 15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur. 16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud, Sela) 17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë. (Sheol h7585) 18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë. 19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje. 20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)

< Psalmet 9 >