< Psalmet 136 >

1 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë. 2 Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 3 Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 4 atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 5 atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 6 atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 7 atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 8 diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 9 hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë; 19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë, 24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

< Psalmet 136 >