< Fjalët e urta 9 >

1 Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj. 2 Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj. 3 Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret: 4 “Ai që është budalla të vijë këtu!”. Atij që i mungon gjykimi i thotë: 5 “Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier. 6 Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes”. 7 Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara. 8 Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë. 9 Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij. 10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia. 11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete. 12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti. 13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë. 14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit, 15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre: 16 “Ai që është budalla të vijë këtu!”. Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë: 17 “Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme”. 18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit. (Sheol h7585)

< Fjalët e urta 9 >