< Numrat 21 >

1 Kur mbreti Kananeas i Aradit, që banonte në Negev, dëgjoi që Izraeli po vinte nga rruga e Atharimit, luftoi kundër Izraelit dhe zuri disa robër. 2 Atëherë Izraeli i lidhi një kusht Zotit dhe tha: “Në rast se ti ma shtie në dorë këtë popull, unë do të shkatërroj tërësisht qytetet e tyre”. 3 Zoti e dëgjoi zërin e Izraelit dhe ia shtiu në dorë Kananejtë; dhe ai i shkatërroi plotësisht ata bashkë me qytetet e tyre, dhe ky vend u quajt Hormah. 4 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën nga mali i Horit, dhe u drejtuan nga Deti i Kuq, për t’i ardhur qark vendit të Edomit; dhe populli u dëshpërua për shkak të rrugës. 5 Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: “Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq”. 6 Atëherë Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën. 7 Dhe kështu populli shkoi te Moisiu dhe i tha: “Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje; lutju Zotit që të largojë nga ne këta gjarpërinj” Dhe Moisiu u lut për popullin. 8 Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar”. 9 Moisiu bëri atëherë një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë, dhe ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte. 10 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe u vendosën në Oboth. 11 Pasi u nisën nga Obothi, u strehuan në Ije-Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, nga ana ku lind dielli. 12 U nisën që këtej dhe u vendosën në luginën e Zeredit. 13 Pastaj u nisën që këtej dhe u vendosën në krahun tjetër të Arnonit, që rrjedh në shkretëtirë dhe vjen nga kufijtë e Amorejve; sepse Arnoni është kufiri i Moabit, midis Moabit dhe Amorejve. 14 Për këtë në Librin e Luftrave të Zotit thuhet: “Vaheb në Sufah, luginat e Arnonit 15 dhe tatëpjeta e luginave që shkon deri në banesat e Arit dhe që mbështetet në kufirin e Moabit”. 16 Dhe që këtej shkuan në Beer, që është pusi për të cilin Zoti i pat thënë Moisiut: “Mblidhe popullin dhe unë do t’i jap ujë”. 17 Atëherë Izraeli këndoi këtë himn: “Buro o pus! I këndoni atij! 18 Pusit, ujin e të cilit princët e kanë kërkuar dhe fisnikët e popullit e kanë gërmuar, duke u mbështetur në fjalën e ligjvënësve, me bastunët e tyre”. Pastaj nga shkretëtira shkuan në Matanah; 19 nga Matanahu në Nahaniel; dhe nga Nahanieli në Bamoth, 20 dhe nga Bamothi në luginën që ndodhet në fushën e Moabit, në drejtim të lartësisë së Pisgahut që sundon shkretëtirën. 21 Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë të tij te Sihoni, mbret i Amorejve, për t’i thënë: 22 “Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të hyjmë nëpër arat ose nëpër vreshtat, nuk do pimë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën Mbretërore deri sa t’i kalojmë kufijtë e tu”. 23 Por Sihoni nuk e lejoi Izraelin të kalonte nëpër territorin e tij; për më tepër Sihoni mblodhi njerëzit e tij dhe doli kundër Izraelit në shkretëtirë; arriti në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit. 24 Izraeli e mundi, duke e kaluar në majën e shpatës, dhe pushtoi vendin e tij nga Arnoni deri në Jakob, deri në kufijtë e bijve të Amonit, sepse kufiri i bijve të Amonit ishte i fortë. 25 Kështu Izraeli pushtoi tërë ato qytete dhe banoi në të gjitha qytetet e Amorejve, në Heshbon dhe në të gjitha qytetet e territorit të tyre, 26 sepse Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të Amorejve, i cili i kishte bërë luftë mbretit të mëparshëm të Moabit dhe i kishte hequr nga dora tërë vendin e tij deri në Arnon. 27 Prandaj poetët thonë: “Ejani në Heshbon! Qyteti i Sihonit duhet të rindërtohet dhe të fortifikohet! 28 Sepse një zjarr ka dalë nga Heshboni, një flakë nga qyteti i Sihonit; kjo ka përpirë Arin e Moabit, zotërit e lartësive të Arnonit. 29 Mjerë ti, o Moab! Je i humbur, o popull i Kemoshit! Bijtë e tij kanë marrë arratinë dhe bijat e tij i janë dhënë si skllave Sihonit, mbretit të Amorejve. 30 Por ne i qëlluam me shigjeta; Heshboni është shkatërruar deri në Dibon. Kemi shkretuar gjithshka deri në Nofah, që ndodhet pranë Medebas”. 31 Kështu Izraeli u vendos në vendin e Amorejve. 32 Pastaj Moisiu dërgoi njerëz për të vëzhguar Jaazerin, dhe kështu Izraelitët pushtuan qytetet e territorit të tij dhe përzunë Amorejtë që ndodheshin aty. 33 Pastaj ndryshuan drejtim dhe u ngjitën në rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbreti i Bashanit, doli kundër tyre me gjithë njerëzit e tij për t’u ndeshur në Edrej. 34 Por Zoti i tha Moisiut: “Mos ki frikë nga ai, sepse unë e lë në duart e tua me gjithë njerëzit e tij dhe vendin e tij; trajtoje ashtu siç ke trajtuar Sihonin, mbretin e Amorejve që banonte në Heshbon. 35 Kështu Izraelitët e mundën atë, bijtë e tij dhe tërë popullin e tij, deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë, dhe pushtuan vendin e tij.

< Numrat 21 >