Jobi 23

1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2 “Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim. 3 Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij! 4 Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente. 5 Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë. 6 A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje. 7 Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë. 8 Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh; 9 vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj. 10 Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari. 11 Këmba ime ka ndjekur me përpikmëri gjurmët e tij, i jam përmbajtur rrugës së tij pa devijuar; 12 nuk jam larguar nga urdhërimet e buzëve të tij, përfitova shumë nga fjalët që kanë dalë prej gojës së tij më tepër se nga racioni tim i ushqimit. 13 Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën, 14 kështu ai do të realizojë plotësisht atë që ka dekretuar kundër meje, dhe plane të tilla ka mjaft të tjera. 15 Prandaj në prani të tij e ndjej veten të tmerruar; kur e mendoj këtë, ia kam frikën atij. 16 Perëndia ma ligështon zemrën, i Plotfuqishmi më tmerron. 17 Sepse nuk u asgjësova përpara territ; dhe ai nuk e fshehu terrin e dendur nga fytyra ime”.