Jobi 21

1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha: 2 “Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni. 3 Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua. 4 A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet? 5 Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë. 6 Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet. 7 Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre? 8 Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre. 9 Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta. 10 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar. 11 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle. 12 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit. 13 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol. (Sheol h7585) 14 Megjithatë i thonin Perëndisë: “Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua. 15 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t’i shërbejmë? Ç’përfitojmë veç kësaj kur e lusim?”. 16 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje. 17 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij? 18 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia? 19 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë. 20 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit! 21 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur? 22 A mundet ndokush t’i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart? 23 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt; 24 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët. 25 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën. 26 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë. 27 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje. 28 Në fakt ju thoni: “Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?”. 29 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre? 30 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit. 31 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë? 32 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij. 33 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para. 34 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?”.