< Jeremia 41 >

1 Në muajin e shtatë ndodhi që Ishmaeli, biri i Nethaniahut, bir i Elishamas, nga fisi mbretëror dhe një ndër funksionarët e mbretit, erdhi me dhjetë njerëz te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah dhe hëngrën bashkë. 2 Pastaj Ishameli, bir i Nethaniahut, u ngrit me dhjetë burra që ishin me të dhe goditën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit. Kështu ata vranë atë që ishte caktuar nga mbreti i Babilonisë si qeveritar i vendit. 3 Ishmaeli vrau gjithashtu tërë Judejtë që ishin me Gedaliahun në Mitspah dhe Kaldeasit, luftëtarë që ndodheshin atje. 4 Të nesërmen e ditës që kishte vrarë Gedaliahun, kur akoma askush nuk e dinte këtë gjë, 5 ndodhi që erdhën disa nga Sikemi, nga Shilohu dhe nga Samaria, tetëdhjetë burra me mjekër të rruar, me rroba të grisura dhe me prerje në trup; ata mbanin në duart e tyre ofertat dhe temjanin që do të paraqitnin në shtëpinë e Zotit. 6 Ishmaeli, bir i Nethaniahut u doli përballë në Mitspah duke vajtuar ndërsa po ecte. Kur i takoi u tha: “Ejani te Gedaljahu, bir i Ahikamit”. 7 Por kur arritën në mes të qytetit, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, tok me njerëzit që kishte me vete, i vrau dhe i hodhi në mes të një sterne. 8 Por ndër ta kishte dhjetë burra që i thanë Ishmaelit: “Mos na vrit, sepse në fushat kemi rezerva të fshehura gruri, elbi, vaji dhe mjalti”. Atëherë ai u përmbajt dhe nuk i vrau me vëllezërit e tyre. 9 Çisterna në të cilën Ishmaeli hodhi tërë kufomat e njerëzve që kishte vrarë bashkë me Gedaliahun është ajo që mbreti Asa kishte ndërtuar nga frika e Baashas, mbretit të Izraelit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, e mbushi me të vrarë. 10 Pastaj Ishmaeli i çoi si robër tërë ata që kishin mbetur nga populli që gjendej në Mitspah: vajzat e mbretit dhe tërë popullin që kishte mbetur në Mitspah dhe mbi të cilin Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, i çoi si robër dhe u nis për të shkuar tek Amonitët. 11 Por kur Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të mësuan tërë të keqen që kishte bërë Ishmaeli, bir i Nethaniahut, 12 morën gjithë njerëzit e tyre dhe shkuan të luftojnë kundër Ishmaelit, birit të Nethaniahut, dhe e gjetën pranë hauzit të madh që është në Gabaon. 13 Kur tërë populli që ishte me Ishmaelin pa Johananin, birin e Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të u gëzua. 14 Kështu tërë populli që Ishmaeli e kishte sjellë si rob nga Mitspahu u kthye dhe shkoi e u bashkua me Johanianin, birin e Kareahut. 15 Por Ishmaeli, biri i Nethaniahut, mundi t’i shpëtojë Johanianit bashkë me tetë burra dhe shkoi tek Amonitët. 16 Atëherë Johanani, biri i Kareahut, dhe gjithë komandantët e forcave që ishin me të, morën nga Mitspahu tërë pjesën e popullit, që ishte rimarrë nga Ishameli, biri i Nethaniahut, mbas vrasjes nga ana e tij të Gedaliahut, birit të Ahikamit: luftëtarë trima, gra, fëmijë dhe eunukë që ai kishte sjellë nga Gabaoni. 17 Ata u nisën dhe u ndalën në Geruth-Kimhan, që ndodhet në afërsitë e Betlemit, për të vazhduar më pas udhën dhe për të shkuar në Egjipt, 18 për shkak të Kaldeasve, sepse ata kishin frikë prej tyre, me qënë se Ishmaeli, bir i Nethaniahut, kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit, që mbreti i Babilonisë kishte emëruar si qeveritar të vendit.

< Jeremia 41 >