< Isaia 40 >

1 “Ngushëlloni, ngushëlloni popullin tim, thotë Perëndia juaj. 2 I flisni zemrës së Jeruzalemit dhe i shpallni që koha e tij e luftës ka mbaruar, që paudhësia e tij është shlyer, sepse ka marrë nga duart e Zotit dyfishin për të gjitha mëkatet e tij”. 3 Zëri i dikujt që bërtet në shkretëtirë: “Shtroni udhën e Zotit, hapni në shkretëtirë një rrugë për Perëndinë tonë. 4 Çdo luginë të jetë e mbushur, çdo mal dhe kodër të jenë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtuar dhe vëndet e vështira të sheshuar. 5 Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë, sepse goja e Zotit ka folur”. 6 Një zë thotë: “Bërtit!”, dhe përgjigja që merr është: “Çfarë të bërtas?”. “Bërtit që çdo qenie është si bari, dhe që tërë hiri i tij është si lulja e fushës 7 Bari thahet, lulja fishket, kur Fryma e Zotit fryn mbi të; me siguri populli nuk është veçse bar. 8 Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë”. 9 O Sion, ti që sjell lajmin e mirë, ngjitu mbi një mal të lartë! O Jeruzalem, ti që sjell lajmin e mirë, ngrije zërin me forcë! Ngrije zërin, mos ki frikë! Thuaju qyteteve të Judës: “Ky është Perëndia juaj!”. 10 Ja, Perëndia, Zoti, vjen i fuqishëm dhe krahu i tij sundon për të. Ja, e ka shpërblimin me vete, dhe shpërblimi i tij e pararend. 11 Ai do të kullosë kopenë e tij si një bari, do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij dhe do t’i mbajë në gji të tij, dhe do të udhëheqë me ëmbëlsi dhe kujdes delet që kanë të vegjëlit e tyre. 12 Kush i ka matur ujëat me gropën e dorës, kush ka marrë përmasat e qiellit me pëllëmbë, kush ka mbledhur pluhurin e tokës në një masë apo ka peshuar malet me një peshore dhe kodrat e tyre me një kandar? 13 Kush i ka marrë përmasat e Frymës së Zotit, ose si këshilltari i tij i ka dhënë mësime? 14 Me kë është konsultuar, që t’i jepte mend, t’i mësonte shtegun e drejtësisë, t’i jepte dituri dhe t’i tregonte rrugën e arsyes? 15 Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël. 16 Libani nuk do të mjaftonte për të siguruar lëndën djegëse që i duhet zjarrit, as kafshët e tij nuk do të mjaftonin për olokaustin. 17 Të gjitha kombet janë si një hiç para tij dhe konsiderohen prej tij si një hiç dhe një kotësi. 18 Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë? 19 Një artist shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe argjendari e vesh me ar dhe shkrin zinxhirë të vegjël prej argjendi. 20 Ai që është tepër i varfër për një ofertë të tillë zgjedh një dru që nuk kalbet dhe gjen një artizan të shkathët, që i përgatit një shëmbëlltyrë të gdhendur që nuk lëviz. 21 Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës? 22 Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh. 23 Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës. 24 Sapo janë mbjellë, sapo janë hedhur në tokë sapo kërcelli i tyre ka lëshuar rrënjë, ai fryn mbi ta dhe ata thahen; uragani i merr me vete si kashtë. 25 “Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?”, thotë i Shenjti. 26 Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon. 27 Pse thua, o Jakob, dhe ti, Izrael, shpall: “Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im? 28 Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme. 29 Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. 30 Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, 31 por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.

< Isaia 40 >