< Osea 4 >

1 Dëgjoni fjalën e Zotit, o bij të Izraelit, sepse Zoti ka një konflikt me banorët e vendit: “Nuk ka në fakt as sinqeritet, as mëshirë dhe as njohje të Perëndisë në vend. 2 Nuk bëhet tjetër përveç shpërbetimeve, gënjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve të kurorës, shkeljeve të çdo kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak. 3 Për këtë shkak vendi do të jetë në zi dhe tërë banorët e tij do të vuajnë, bashkë me kafshët e fushës dhe me shpendët e qiellit; madje edhe peshqit e detit do të eliminohen. 4 Megjithatë askush të mos kundërshtojë, askush të mos qortojë tjetrin, sepse populli yt është si ai që grindet me priftin. 5 Prandaj ti do të pengohesh ditën dhe profeti gjithashtu do të pengohet natën bashkë me ty; dhe unë do të shkatërroj nënën tënde. 6 Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu. 7 Sa më tepër janë shumuar, aq më tepër kanë mëkatuar kundër meje; do ta kthej lavdinë e tyre në turp. 8 Ata ushqehen me mëkatin e popullit tim dhe e lidhin zemrën e tyre me paudhësinë e tij. 9 Si për popullin ashtu do të jetë edhe për priftin: unë do t’i dënoj ata për sjelljen e tyre dhe do t’i shpërblej për veprat e tyre. 10 Do të hanë, por nuk do të ngopen; do të kurvërohen, por nuk do të shtohen; sepse kanë hequr dorë nga dëgjimi i Zotit. 11 Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend. 12 Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia e tyre. 13 Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën. 14 Nuk do t’i dënoj bijat tuaja në se kurvërohen, as nuset e bijve tuaj në se shkelin kurorën, sepse ata vetë veçohen me prostitutat dhe ofrojnë flijime bashkë me prostitutat e tempujve; prandaj njerëzia që nuk ka mend do të vdesë. 15 Në qoftë se ti, Izrael, kurvërohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Beth-aven dhe mos u betoni duke thënë: “Ashtu si Zoti rron”. 16 Sepse Izraeli është kokëfortë si një mëshqerrë kryeneçe, tani Zoti do ta kullotë si një qengj në një vend të hapur. 17 Efraimi u bashkua me idhujt, lëre të veprojë. 18 Edhe kur qejfet e tyre kanë mbaruar, kryejnë vazhdimisht kurvërime; krerët e tyre e duan shumë turpin. 19 Era i ka lidhur në krahët e vet dhe atyre do t’u vijë turp për flijimet e tyre”.

< Osea 4 >