< Zanafilla 41 >

1 Por ndodhi që mbas dy vitesh të plota Faraoni pa një ëndërr. Ai ndodhej pranë një lumi, 2 dhe ja që ndërsa po ngjiten nga lumi shtatë lopë, të hijshme e të majme, që nisën të kullosin ndër xunkthe. 3 Pas atyre, u ngjitën nga lumi shtatë lopë të tjera të shëmtuara dhe të dobëta, dhe u ndalën pranë të parave në bregun e lumit. 4 Tani lopët e shëmtuara dhe të dobëta hëngrën lopët e hijshme dhe të majme. Pastaj Faraoni u zgjua. 5 Më pas e zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr të dytë; dhe, ja, shtatë kallinj të trashë dhe të bukur që dilnin nga një kërcell i vetëm. 6 Pastaj, ja, shtatë kallinj të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas tyre. 7 Dhe kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e trashë dhe të plotë. Atëherë Faraoni u zgjua dhe, ja, ishte një ëndërr. 8 Në mëngjes shpirti i tij qe i trazuar, dhe dërgoi e thirri tërë magjistarët dhe të diturit e Egjiptit; pastaj Faraoni u tregoi ëndrrat e tij, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjendje t’ia interpretonte Faraonit. 9 Atëherë kryekupëmbajtësi i foli Faraonit duke i thënë: “Sot kujtoj gabimet e mia. 10 Faraoni ishte zemëruar me shërbëtorët e tij dhe më kishte futur në burg në shtëpinë e kreut të rojeve, mua dhe kryebukëpjekësin. 11 Po atë natë, unë dhe ai pamë një ëndërr; secili pa një ëndërr që kishte kuptimin e tij. 12 Me ne ishte edhe një hebre i ri, shërbëtor i kreut të rojeve; atij i treguam ëndrrat tona dhe ai na i interpretoi, duke i dhënë secilit interpretimin e ëndrrës së tij. 13 Dhe gjërat u zhvilluan pikërisht simbas interpretimit që na kishte dhënë ai. Faraoni më rivendosi në detyrën time dhe e vari tjetrin”. 14 Atëherë Faraoni dërgoi ta thërrisnin Jozefin, që e nxorrën menjëherë nga burgu nëntokësor. Kështu ai u rrua, ndërroi rrobat dhe erdhi te Faraoni. 15 Dhe Faraoni i tha Jozefit: “Kam parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë; por kam dëgjuar për ty se, kur ke dëgjuar një ëndërr, je në gjendje ta interpretosh”. 16 Jozefi iu përgjegj Faraonit duke i thënë: “Nuk jam unë, por Perëndia do të japë një përgjigje për të mirën e Faraonit”. 17 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: “Ja, në ëndrrën time unë rrija në bregun e lumit, 18 kur u ngjitën nga lumi shtatë lopë të majme dhe të hijshme, që nisën të kullosnin ndër xunkthe. 19 Pas tyre u ngjitën shtatë lopë të tjera të dobëta, shumë të shëmtuara dhe thatime; lopë të tilla aq të shëmtuara nuk kisha parë kurrë në gjithë shtetin e Egjiptit. 20 Dhe lopët e dobëta dhe të shëmtuara i hëngrën të shtatë lopët e para të majme; 21 por edhe pasi i hëngrën, asnjeri nuk mund të dallonte që i kishin ngrënë, sepse ato ishin të shëmtuara si më parë. Kështu u zgjova. 22 Pastaj pashë në ëndrrën time shtatë kallinj që dilnin nga një kërcell i vetëm, të plotë dhe të bukur; 23 dhe ja shtatë kallinj të tjerë të fishkur, të hollë dhe të tharë nga era lindore, që mbinin pas të parëve. 24 Pastaj shtatë kallinjtë e hollë gëlltitën shtatë kallinjtë e bukur. Këtë gjë ua tregova magjistarëve, por asnjeri prej tyre nuk qe në gjëndje të më jepte një shpjegim”. 25 Atëherë Jozefi i tha Faraonit: “Éndërrat e Faraonit janë një ëndërr e njëjtë. Perëndia i tregoi Faraonit atë që po gatitet të bëjë. 26 Shtatë lopët e bukura janë shtatë vite dhe shtatë kallinjtë e bukur janë shtatë vite; është e njëjta ëndërr. 27 Edhe shtatë lopët e dobëta dhe të shëmtuara, që ngjiteshin pas atyre, janë shtatë vite; edhe shtatë kallinjtë bosh dhe të tharë nga era lindore janë shtatë vite zije buke. 28 Këto janë ato që i thanë Faraonit: Perëndia i tregoi Faraonit atë që po përgatitet të bëjë. 29 Ja, po vijnë shtatë vite bollëku të madh në tërë vendin e Egjiptit; 30 por pas këtyre do të vinë shtatë vite zije buke dhe gjithë ai bollëk do të harrohet në vendin e Egjiptit; dhe zija do të ligështojë vendin. 31 Dhe në vend nuk do ta kujtojnë më bollëkun e mëparshëm për shkak të zisë së bukës që do të vijë, sepse kjo do të jetë shumë e rëndë. 32 Fakti që kjo ëndërr i është shfaqur Faraonit dy herë do të thotë që këtë vendim e ka marrë Perëndia, dhe Perëndia do të bëjë që të ndodhë shpejt. 33 Prandaj Faraoni të kërkojë një njeri të zgjuar dhe të urtë dhe ta caktojë në krye të Egjiptit. 34 Faraoni duhet të veprojë kështu: të emërojë në vend mbikqyrës për të mbledhur një të pestën e prodhimeve të vendit të Egjiptit, gjatë shtatë viteve të bollëkut. 35 Ata të grumbullojnë të gjitha ushqimet e këtyre viteve të mbara që po vinë dhe të grumbullojnë grurin nën autoritetin e Faraonit dhe ta ruajnë për furnizimin e qyteteve. 36 Këto ushqime do të jenë një rezervë për vendin në parashikim të shtatë viteve të zisë së bukës që do të bjerë në vendin e Egjiptit; kështu vendi nuk do të humbasë nga zija”. 37 Kjo gjë i pëlqeu Faraonit dhe gjithë nëpunësve të tij. 38 Dhe Faraoni u tha nëpunësve të tij: “A mund të gjejmë një njeri si ky, tek i cili të gjendet Fryma e Perëndisë?”. 39 Atëherë Faraoni i tha Jozefit: “Me qënë se Perëndia të bëri të dish të gjitha këto gjëra, nuk ka asnjeri të zgjuar dhe të ditur sa ti. 40 Ti do të jesh mbi shtëpinë time dhe i tërë populli im do t’u bindet urdhërave të tua; vetëm për fronin unë do të jem më i madh se ti”. 41 Faraoni i tha Jozefit: “Shiko, unë të emëroj mbi gjithë shtetin e Egjiptit”. 42 Pastaj Faraoni hoqi unazën nga dora e vet dhe ia vuri në dorë Jozefit; e veshi me rroba krejt prej liri dhe i vari në qafë një gjerdan të artë. 43 E hipi pastaj në karron e tij të dytë, dhe para tij thërrisnin: “Në gjunjë!”. Kështu Faraoni e vendosi mbi tërë shtetin e Egjiptit. 44 Veç kësaj Faraoni i tha Jozefit: “Faraoni jam unë, por pa ty asnjeri nuk ka për të ngritur dorën ose këmbën në tërë shtetin e Egjiptit”. 45 Dhe Faraoni e quajti Jozefin me emrin Cofnath-Paneah dhe i dha për grua Asenathin, të bijën e Potiferahut, prift i Onit. Dhe Jozefi u nis për të vizituar shtetin e Egjiptit. 46 Tani Jozefi ishte tridhjetë vjeç kur u paraqit para Faraonit, mbretit të Egjiptit. Pastaj Jozefi u largua nga Faraoni dhe i ra anembanë Egjiptit. 47 Gjatë shtatë viteve të bollëkut, toka prodhoi shumë; 48 dhe Jozefi grumbulloi tërë ushqimet në vendin e Egjiptit gjatë atyre shtatë viteve dhe i vendosi nëpër qytetet; në çdo qytet vendosi ushqimet e territorit përreth. 49 Kështu Jozefi grumbulloi grurë, si rëra e detit, aq shumë sa pushoi së mbajturi llogari sepse sasia e grurit ishte e pallogaritshme. 50 Para se të vinte viti i zisë, Jozefit i lindën dy fëmijë që Asenathi, e bija e Potiferahut, prift i Onit, i lindi. 51 Jozefi e quajti të parëlindurin Manasi, sepse tha: “Perëndia bëri që të harroj çdo shqetësim timin dhe tërë shtëpinë e atit tim”. 52 Të dytit i vuri emrin Efraim, sepse tha: “Perëndia më ka bërë frytdhënës në vendin e pikëllimit tim”. 53 Shtatë vitet e bollëkut që qenë në shtetin e Egjiptit morën fund, 54 dhe filluan shtatë vitet e zisë, ashtu si kishte thënë Jozefi. Kishte mungesë ushqimesh në të tëra vendet, por në tërë vendin e Egjiptit kishte bukë. 55 Pastaj tërë vendi i Egjiptit filloi të vuajë nga uria, dhe populli e ngriti zërin për t’i kërkuar bukë Faraonit. Atëherë Faraoni u tha tërë Egjiptasve: “Shkoni tek Jozefi dhe bëni si t’ju thotë ai”. 56 Zija ishte përhapur mbi sipërfaqen e tërë vendit dhe Jozefi i hapi tërë depot dhe u shiti grurë Egjiptasve. Por zija u bë më e rëndë në vendin e Egjiptit. 57 Kështu njerëzit e të gjitha vendeve vinin në Egjipt te Jozefi për të blerë grurë, sepse zija qe shtuar mbi tërë tokën.

< Zanafilla 41 >