< Zanafilla 13 >

1 Abrami, pra, u rikthye nga Egjipti në drejtim të Negevit bashkë me gruan dhe gjithçka zotëronte. Dhe Loti ishte bashkë me të. 2 Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar. 3 Nga Negevi ai vazhdoi udhëtimin e tij deri në Bethel, në vendin ku më parë ndodhej çadra e tij, midis Bethelit dhe Ait, 4 në vendin e altarit që kishte ndërtuar në krye, dhe aty Abrami i bëri thirrje emrit të Zotit. 5 Edhe Loti, që udhëtonte bashkë me Abramin, kishte kope bagëtish dhe çadra. 6 Dhe vendi nuk ishte në gjendje t’i mbante, po të banonin bashkë, sepse pasuritë e tyre ishin aq të mëdha sa nuk mund të qëndronin bashkë. 7 Lindi kështu një mosmarrëveshje midis barinjve të bagëtisë së Abramit dhe barinjve të bagëtisë së Lotit. Në atë kohë banonin në këtë vend Kananejtë dhe Perezejtë. 8 Dhe kështu Abrami i tha Lotit: “Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis teje dhe meje, as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. 9 A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas”. 10 Atëherë Loti ngriti sytë dhe pa tërë fushën e Jordanit. Para se Zoti të kishte shkatërruar Sodomën dhe Gomorën, ajo ishte e tëra e ujitur deri në Coar, si kopshti i Zotit, si vendi i Egjiptit. 11 Kështu Loti zgjodhi për vete tërë fushën e Jordanit dhe filloi t’izhvendosë drejt lindjes çadrat e veta: Kështu u ndanë njëri nga tjetri. 12 Abrami banoi në vendin e Kanaanit dhe Loti në qytetet e fushës, duke arritur të ngrejë çadrat e tij deri në Sodomë. 13 Por njerëzit e Sodomës ishin shumë të korruptuar dhe mëkatarë ndaj Zotit. 14 Dhe Zoti i tha Abramit, mbas ndarjes së Lotit prej tij: “Ço tani sytë e tu dhe shiko nga vendi ku je drejt veriut e jugut; drejt lindjes dhe perëndimit. 15 Tërë vendin që sheh, unë do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu, për gjithnjë. 16 Dhe do t’i bëj pasardhësit e tu si pluhurin e tokës; prandaj në se dikush mund të llogarisë pluhurin e tokës, do të mund të llogarisë edhe pasardhësit e tu. 17 Çohu në këmbë, bjeri rreth e qark vendit, sepse unë do të ta jap ty”. 18 Atëherë Abrami i ngriti çadrat e tij dhe vajti të banojë në liset e Mamres, që ndodhen në Hebron; dhe aty ndërtoi një altar kushtuar Zotit.

< Zanafilla 13 >