< Ligji i Përtërirë 10 >

1 “Në atë kohë Zoti më tha: “Pre dy pllaka prej guri të njëllojta me të parat dhe ngjitu tek unë në mal; bëj një arkë prej druri. 2 Unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që ti copëtove, dhe ti do t’i vësh në arkë”. 3 Kështu bëra një arkë prej dru akacjeje dhe preva dy pllaka prej guri të njëllojta me të parat; pastaj u ngjita në mal me dy pllakat në dorë. 4 Dhe Zoti shkroi mbi pllakat atë që kishte shkruar herën e parë, domethënë dhjetë urdhërimet që Zoti kishte shpallur për ju në mal, në mes të zjarrit, ditën e asamblesë. Pastaj Zoti m’i dorëzoi mua. 5 Atëherë u ktheva dhe zbrita nga mali; i vura pllakat në arkën që kisha bërë; dhe ato ndodhen aty, ashtu si më kishte urdhëruar Zoti. 6 (Bijtë e Izraelit u nisën nga puset e bijve të Jakaanit në drejtim të Moserahut. Aty vdiq Aaroni dhe aty u varros; dhe Eleazari bir i tij, u bë prift në vend të tij. 7 Që andej u nisën në drejtim të Gudgodahut dhe nga Gudgodahu për në Jotbathah, vendi me rrjedha ujore. 8 Në atë kohë Zoti veçoi fisin e Levit për ta mbartur arkën e besëlidhjes së Zotit, për të qenë përpara Zotit dhe për t’i shërbyer, si dhe për të bekuar në emër të tij deri ditën e sotme. 9 Prandaj Levi nuk ka pjesë, as trashëgimi me vëllezërit e tij; Zoti është trashëgimia e tij, ashtu si Zoti, Perëndia yt, u kishte premtuar). 10 Unë mbeta në mal dyzet ditë e dyzet net me radhë si herën e parë; Zoti më dëgjoi edhe këtë herë dhe nuk pranoi të të shkatërrojë. 11 Atëherë Zoti më tha: “Çohu, nis rrugën në krye të popullit, që ata të futen e të pushtojnë vendin që jam betuar t’u jap etërve të tyre”. 12 Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, 13 dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj. 14 Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejtë, qiejtë e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban; 15 por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot. 16 Prandaj do të rrethpritni prepucin e zemrës suaj dhe nuk do ta fortësoni më qafën tuaj; 17 sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zotëria i zotërive, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është fare i anshëm dhe nuk pranon dhurata, 18 që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje. 19 Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. 20 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh atij, do të jesh lidhur ngushtë me të dhe do të betohesh me emrin e tij. 21 Ai është lavdia jote, ai është Perëndia yt, që ka bërë për ty ato gjëra të mëdha dhe të tmershme që sytë e tua i kanë parë. 22 Etërit e tu zbritën në Egjipt në një numër që nuk i kapërxente të shtatëdhjetë personat; dhe tani Zoti, Perëndia yt, të ka shumëzuar si yjet e qiellit”.

< Ligji i Përtërirë 10 >