< Amosi 4 >

1 Dëgjoni këtë fjalë, lopë të Bashanit, që ndodheni mbi malin e Samarisë, ju, që shypni të mjerët, që keqtrajtoni të varfrit, që u thoni zotërinjve tuaj: “Sillni verë dhe ta pimë”. 2 Zoti, Zoti, është betuar për shenjtërinë e tij: “Ja, do të vinë për ju ditë në të cilat do t’ju zënë me çengela dhe ata që kanë mbetur me grepa peshkimi. 3 Do të dilni nëpër të çara, secili drejt përpara, dhe do t’ju hedhin në Harmon”, thotë Zoti. 4 “Shkoni në Bethel dhe kryeni mëkate; në Gilgal kryeni edhe më shumë mëkate. Sillni çdo mëngjes flijimet tuaja dhe çdo tri ditë të dhjetat tuaja. 5 Ofroni një flijim falënderimi me maja. Shpallni ofertat me dëshirë dhe i propagandoni, sepse kështu ju pëlqen të veproni, o bij të Izraelit”, thotë Zoti, Zoti. 6 “Ju kam lënë gojë thatë në të gjitha qytetet tuaja dhe pa bukë në të gjitha banesat tuaja, por nuk jeni kthyer tek unë”, thotë Zoti. 7 “Kam ndalur shiun gjithashtu prej jush tre muaj para korrjes. Kam bërë të bjerë shi mbi një qytet, ndërsa nuk ka rënë shi mbi një qytet tjetër. Mbi një pjesë të arës ka rënë shi, por pjesa ku nuk ka rënë shi është tharë. 8 Kështu dy ose tre qytete endeshin drejt një qyteti tjetër për të pirë ujë, por pa shuar dot etjen; por ju nuk u kthyet tek unë”, thotë Zoti. 9 “Ju godita me blozën dhe me ndryshkun. Krimbi ka ngrënë kopshtet tuaja të shumta, vreshtat tuaja, fiqtë tuaj, ullinjtë tuaj, por ju nuk u kthyet tek unë”, thotë Zoti. 10 “Dërgova midis jush murtajën, ashtu si kisha bërë në Egjipt; vrava të rinjtë tuaj me shpatë bashkë me kuajt e zënë; bëra që duhma e kampeve tuaj të ngjitet deri te flegrat tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë”, thotë Zoti. 11 “Ju përlava, si Sodoma dhe Gomora, ju ishit si një urë zjarri, dhe nuk u kthyet tek unë”, thotë Zoti. 12 “Prandaj kështu do të sillem me ty, o Izrael; dhe duke qenë se unë do të bëj këtë kundër teje, përgatitu, o Izrael, të takosh Perëndinë tënd”. 13 Sepse ja, ai që formon malet dhe krijon erën, që i bën të njohur njeriut cili është mendimi i tij, që e kthen agimin në terr dhe ecën mbi vendet e larta të tokës: Zoti, Perëndia i ushtrive, është emri i tij.

< Amosi 4 >