< 1 i Samuelit 14 >

1 Një ditë ndodhi që Jonathani, bir i Saulit, i tha shqyrtarit të tij të ri: “Eja, shkojmë drejt pozicioneve të Filistejve, që ndodhen në anën tjetër”. Por nuk i tha asgjë të atit. 2 Sauli rrinte atëherë në skajin e Gibeahut nën shegën që është në Migron, dhe njerëzit që ishin me të arrinin në rreth gjashtë qind veta. 3 Ahijahu, bir i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, birit të Elit, prift i Zotit, në Shiloh kishte veshur efodin. Por populli nuk e dinte që Jonathani kishte ikur. 4 Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e Filistejve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh. 5 Njeri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut. 6 Jonathani i tha shqyrtarit të ri: “Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz”. 7 Shqyrtari i tij iu përgjegj: “Bëj ç’ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote”. 8 Atëherë Jonathani tha: “Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t’i bëjmë që të na shohin. 9 Po të na thonë: “Ndaluni deri sa t’ju arrijmë”, ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata; 10 por në rast se na thonë: “Ejani te ne”, ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë”. 11 Kështu të dy u panë nga garnizoni i Filistejve; dhe Filistejtë thanë: “Ja Hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!”. 12 Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqyrtarit të tij dhe thanë: “Ejani te ne se kemi diçka për t’ju thënë”. Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: “Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit”. 13 Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqyrtari i tij. Filistejtë binin përpara Jonathanit, dhe shqyrtari pas tij i vriste. 14 Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqyrtari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë. 15 Tmerri u përhap në kamp, në fshatra dhe në gjithë popullin; edhe garnizoni dhe cubat u trembën gjithashtu; bile edhe toka u drodh dhe u shndërrua kështu në një llahtarë të Perëndisë. 16 Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej. 17 Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: “Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne”. U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij. 18 Atëherë Sauli i tha Ahijaut: “Afroje arkën e Perëndisë!” (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit). 19 Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e Filistejve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: “Hiqe dorën tënde!”. 20 Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe. 21 Vetë Hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me Filistejtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me Izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin. 22 Po kështu tërë Izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që Filistejtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t’i ndjekin duke marrë pjesë në betejë. 23 Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven. 24 Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: “I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi”. 25 Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë. 26 Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë. 27 Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë. 28 Njeri nga populli mori fjalën dhe tha: “Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: “Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot”, megjithëse populli ishte i rraskapitur”. 29 Atëherë Jonathani tha: “Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë. 30 Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të Filistejve?”. 31 Po atë ditë ata i mundën Filistejtë nga Mikmashi deri në Aijalon, por populli ishte tepër i lodhur. 32 Kështu populli u hodh mbi plaçkën, rrëmbeu dele, lopë dhe viça dhe i theri për tokë; dhe populli i hëngri me gjithë gjakun e tyre. 33 Këtë ia treguan Saulit dhe i thanë: “Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë mish me gjithë gjakun”. Ai tha: “Ju keni kryer një shkelje; rrukullisni menjëherë një gur të madh pranë meje”. 34 Pastaj Sauli urdhëroi: “Shpërndahuni midis popullit dhe i thoni: “Secili të sjellë këtu tek unë lopën dhe delen e tij; i therrni këtu dhe pastaj i hani, por mos mëkatoni ndaj Zotit, duke ngrënë mish me gjithë gjakun e tij!”. Kështu gjithkush nga populli solli me vete lopën e tij dhe e theri në atë vend. 35 Sauli ndërtoi pastaj një altar kushtuar Zotit; ky ishte altar i parë që ai i ndërtoi Zotit. 36 Pastaj Sauli tha: “Të zbresim natën për të ndjekur Filistejtë dhe t’i zhveshim deri në dritën e mëngjesit; dhe të mos lëmë asnjë prej tyre të gjallë”. Populli u përgjegj: “Vepro si të të duket më 37 Kështu Sauli e pyeti Perëndinë: “A duhet të zbres për të ndjekur Filistejtë? A do t’i lësh në duart e Izraelit?”. Por Perëndia nuk dha asnjë përgjigje. 38 Atëherë Sauli tha: “Afrohuni këtu, ju gjithë krerë të popullit, pranoni dhe shikoni mëkatin e kryer sot, 39 sepse, ashtu siç është e vërtetë që Zoti, shpëtimtari i Izraelit, jeton edhe sikur të gjendej te Jonathani, biri im, ai duhet të vdesë”. Por asnjeri nga tërë populli nuk iu përgjegj atij. 40 Atëherë ai i tha gjithë Izraelit: “Ju qëndroni në një anë, dhe unë dhe biri im Jonathan do të qëndrojmë nga ana tjetër”. Populli iu përgjegj Saulit: “Bëj atë që të duket më mirë”. 41 Prandaj Sauli i tha Zotit: “O Perëndi i Izraelit, na jep përgjigjen e drejtë”. Kështu u caktuan Jonathani dhe Sauli dhe populli jo. 42 Pastaj Sauli tha: “Hidhni short midis meje dhe Jonathanit, birit tim”. Kështu u caktua Jonathani. 43 Atëherë Sauli i tha Jonathanit: “Më trego ç’ke bërë”. Jonathani i tha: “Kam provuar pak mjaltë me majën e bastunit që kisha në dorë; ja, ku jam, kam për të vdekur!”. 44 Sauli tha: “Perëndia e bëftë këtë dhe bile më keq, sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonathan!”. 45 Po populli i tha Saulit: “A duhet të vdesë Jonathani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë”! Kështu populli e shpëtoi Jonathanin dhe ai nuk vdiq. 46 Pastaj Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve dhe Filistejtë u kthyen në vendin e tyre. 47 Kështu Sauli e forcoi mbretërinë e Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve që ndodheshin rreth e qark: Moabit, bijve të Amonit, Edomit, mbretërve të Tsobahut dhe Filistejve; ai korrte fitore nga çdo anë që të kthehej. 48 Kreu vepra trimërie, mundi Amalekitët dhe çliroi nga duart e atyre që e plaçkitnin. 49 Bijtë e Saulit ishin Jonathani, Jishuji dhe Malkishuahu; dy bijat e tij quheshin Merab, më e madhja, dhe Mikal më e vogla. 50 E shoqja e Saulit quhej Ahinoam, ishe bija e Ahimaazit; emri i komandantit të ushtrisë së tij ishte Abner, bir i Nrerit, ungji i Saulit. 51 Kishi, ati i Saulit, dhe Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit. 52 Gjatë gjithë jetës së Saulit pati një luftë të pamëshirshme kundër Filistejve; çdo njeri të fortë dhe çdo të ri trim që Sauli shikonte, i merrte me vete.

< 1 i Samuelit 14 >