< 1 i Kronikave 15 >

1 Davidi ndërtoi disa shtëpi në qytetin e Davidit, përgatiti një vend për arkën e Perëndisë dhe ngriti një çadër për atë. 2 Atëherë Davidi tha: “Asnjeri nuk duhet të mbartë arkën e Zotit përveç Levitëve, sepse Zoti ka zgjedhur ata për ta mbajtur arkën e Perëndisë dhe për t’i shërbyer atij përjetë”. 3 Davidi mblodhi tërë Izraelin në Jeruzalem për ta çuar arkën e Zotit në vendin që i kishte përgatitur. 4 Davidi mblodhi edhe bijtë e Aaronit dhe Levitët. 5 Nga bijtë e Kehathit, Urielin, të parin, dhe njëqind e njëzet vëllezërit e tij; 6 nga bijtë e Merarit, Asajahun, të parin, dhe dyqind e njëzet vëllezërit e tij; 7 nga bijtë e Gershomit, Joelin, të parin, dhe njëqind e tridhjetë vëllezërit e tij; 8 nga bijtë e Elitsafanit, Shemajahun, të parin, dhe dyqind vëllezërit e tij; 9 nga bijtë e Hebronit, Elielin, të parin, dhe tetëdhjetë vëllezërit e tij; 10 nga bijtë e Uzielit, Aminadabin, të parin, dhe njëqind e dymbëdhjetë vëllezërit e tij. 11 Pastaj Davidi thirri priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar, dhe Levitët Uriel, Asajahu, Joel, Shemajahu, Eliel dhe Aminadab, 12 dhe u tha atyre: “Ju jeni të parët e shtëpive atërore të Levitëve; shenjtërohuni, ju dhe vëllezëzit tuaj, që të mund të transportojnë arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit, në vendin që i kam përgatitur. 13 Sepse herën e parë ju nuk ishit dhe Zoti, Perëndia ynë, hapi një të çarë midis nesh, sepse nuk e kishim kërkuar sipas rregullave të caktuara”. 14 Kështu priftërinjtë dhe Levitët u shenjtëruan për të transportuar arkën e Zotit, Perëndisë të Izraelit. 15 Bijtë e Levitëve e mbajtën arkën e Perëndisë mbi shpatullat e tyre me anë të shufrave, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu sipas fjalës të Zotit. 16 Pastaj Davidi urdhëroi krerët e Levitëve të caktonin vëllezërit e tyre këngëtarë me vegla muzikore, harpa, qeste dhe cembale për të pasur tinguj gëzimi. 17 Prandaj Levitët caktuan Hemanin, birin e Joelit, midis vëllezërve të tij, Asafin, birin e Berakiahut, dhe midis bijve të Merarit, vëllezërit e tyre, Ethanin, birin e Kushajahut. 18 Me ta ishin vëllezërit e tyre të klasës së dytë: Zakaria, Beni, Jaazieli, Semiramothi, Jehieli, Uni, Eliabi, Benajahu, Maasejahu, Matithiahu, Elifalehu, Miknejahu, Obed-Edomi dhe Jeeli, që ishin derëtarë. 19 Këngëtarët Heman, Asaf dhe Ethan përdornin cembale prej bronzi; 20 Zakaria, Azieli, Shemiramothi, Jehieli, Uni, Eliabi, Maasejahu dhe Benajahu u binin harpave për zëra sopranoje; 21 Matithiahu, Elifalehu, Miknejahu, Obed-Edomi, Jejeli dhe Azaziahu u binin qesteve në oktavë për të udhëhequr këngën; 22 Kenaiahu, i pari i Levitëve, ishte i ngarkuar me këngën; ai drejtonte këngën, sepse ishte kompetent në këtë fushë. 23 Berekiahu dhe Elkanahu ishin derëtarë pranë arkës. 24 Priftërinjtë Shebarniahu, Joshafati, Nethaneel, Amasai, Zakaria, Benajah dhe Elezieri u binin borive përpara arkës së Perëndisë, kurse Obed-Edomi dhe Jehijahu kryenin detyrën e derëtarit afër arkës. 25 Atëherë Davidi, pleqtë e Izraelit dhe komandantët e mijëshëve vepruan me gëzim në transportimin e arkës së besëlidhjes të Zotit nga shtëpia e Obed-Edomit. 26 Kështu, sepse Perëndia i ndihmoi Levitët që mbanin arkën e besëlidhjes të Zotit, u ofruan si flijime shtatë dema dhe shtatë desh. 27 Davidi kishte veshur një mantel prej liri të hollë, ashtu si tërë Levitët që mbanin arkën, këngëtarët dhe Kenianahu, drejtuesi i këngës së bashku me këngëtarët; Davidi kishte veshur gjithashtu një efod prej liri. 28 Kështu tërë Izraeli e çoi lart arkën e besëlidhjes të Zotit me klithma gëzimi nën tingujt e burive, brirëve, cembaleve, qesteve dhe harpave. 29 Por ndodhi që, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit arriti në qytetin e Davidit, Mikal, e bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që kërcente dhe hidhej përpjetë, dhe e përçmoi në zemër të saj.

< 1 i Kronikave 15 >